Analisti Arben Meçe ka theksuar se rezultati i zgjedhjeve të 11 majit nuk është më në diskutim përsa i përket fitores së Partisë Socialiste. Sipas tij, dilema e vetme që shtrohet sot është nëse PS do të arrijë të tejkalojë pragun e 2/3 në Kuvend, gjë që do i siguronte kësaj force politike një shumicë të fuqishme për të vijuar reformat të rëndësishme.
Duke komentuar rezultatet e sondazhit të fundit të publikuar nga ABC News dhe Angie Ricerche, Meçe vuri në dukje se mbështetja për opozitën, dhe në mënyrë specifike për ish-kryeministrin Sali Berisha, është në rënie të vazhdueshme. Sipas tij, kjo ndodh për shkak të faktit se lideri aktual i opozitës nuk po arrin të frymëzojë elektoratin dhe është kthyer në një pengesë më shumë sesa një shtysë për përparim.
“Shenjat e zhgënjimit nga Berisha janë të dukshme. Aktivitetet e tij janë të vakta, mungon qartësia, artikulimi është i dobët dhe kjo influencon ndjeshëm perceptimin te votuesi”, u shpreh Meçe. Ai shtoi se liderët ndihmojnë ose dëmtojnë partinë që drejtojnë dhe në këtë rast, Edi Rama mbetet faktor tërheqës për PS-në, ndërsa Berisha e tërheq PD-në mbrapsht.
Sipas parashikimeve të tij, PD nuk pritet të kapërcejë asnjëherë 35% të votave në sondazhe, dhe për më tepër, është në pritshmëri rënieje të mëtejshme. “Ne tashmë nuk presim nëse PS fiton apo jo, por presim nëse ajo do të kalojë 2/3. Diferenca me opozitën do të thellohet”, nënvizoi Meçe, duke treguar një panoramë politikisht të favorizuar për mazhorancën aktuale.