Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se kandidimi i tij në Tiranë përfaqëson një mision të ri dhe të rëndësishëm në karrierën e tij politike. Gjatë një vizite në zonën e Kasharit, Rama u shpreh se angazhimi i tij si deputet i Tiranës lidhet me potencialin e jashtëzakonshëm që ka kryeqyteti për zhvillim të mëtejshëm.
Ai theksoi se Tirana ka pësuar transformime të mëdha në vitet e fundit, duke u kthyer në një qytet krejt ndryshe nga ai që ishte më parë, si në aspektin urban, ashtu edhe në jetën e përditshme të komunitetit. “Kam parë ndryshime të jashtëzakonshme në shumë pjesë të Tiranës. Qyteti sot është më i madh, me qendra të reja komunitare dhe më shumë mundësi për të përmirësuar cilësinë e jetës për banorët”, tha Rama.
Sipas tij, fokusi duhet të jetë tani në zhvillimin e pjesëve periferike të qytetit, ku sipas tij, jetojnë komunitete të mëdha që meritojnë më shumë vëmendje dhe investime. “Kjo është koha për t’u dhënë energji dhe frymë të re këtyre lagjeve e qendrave të reja. Tirana nuk është më vetëm qendra e vjetër, por një mozaik komunitetesh që duhet të mos lihen mënjanë”, theksoi Kryeministri.
Kandidimi i Ramës në Tiranë shihet si një sinjal i qartë për rëndësinë që Partia Socialiste i kushton zhvillimit të metropolit shqiptar dhe përkushtimit ndaj rritjes së standardeve urbane dhe sociale në kryeqytet. Ai kërkoi mbështetjen e qytetarëve për të çuar përpara projektet që synojnë ta bëjnë Tiranën një model europian të zhvillimit të qëndrueshëm.