Kosova ndodhet në një moment kyç të zhvillimeve politike, përballë sfidës së formimit të institucioneve pas zgjedhjeve të jashtëzakonshme të mbajtura në fillim të këtij viti. Gazetari Donat Syla ka komentuar në lidhje me vonesat dhe pasigurinë që po shoqëron procesin e konstituimit të Kuvendit të ri.
Sipas Sylës, data 26 prill përfaqëson afatin përfundimtar për konstituimin e Kuvendit—një proces që kërkon fillimisht verifikimin e mandateve të deputetëve dhe më pas zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit. Nëse ky afat nuk respektohet, kushtetuta parashikon mbajtjen e zgjedhjeve të reja brenda 45 ditëve.
“Është shumë situatë delikate sepse kemi dy raunde që dështuan në konstituim dhe askush nga partitë politike nuk e përmend. Do të ishte e dëmshme për Kosovën të hyjë në një cikël të ri zgjedhor pa arritur të formojë institucionet nga zgjedhjet e mëparshme,” tha Syla.
Ndërkombëtarët deri më tani nuk kanë shfaqur ndonjë reagim të qartë për ndihmën në zgjidhjen e ngërçit. Sipas Sylës, lideri i Vetëvendosjes, që mban një fuqi dominuese politike, nuk ka treguar gatishmëri për koordinim me faktorin ndërkombëtar – një faktor që mund të lehtësonte arritjen e konsensusit.
Përpara datës 26 prill priten të zhvillohen ende 2-3 seanca parlamentare, por pa vullnet të qartë politik për t’i çuar përpara këto procese, vendi rrezikon të rikthehet në paqëndrueshmëri politike.
Në këtë situatë, përgjegjësia bie mbi të gjitha partitë politike për të gjetur një zgjidhje brenda kornizës kushtetuese, në mënyrë që t’i shmangin Kosovës kostot institucionale, ekonomike dhe sociale të një cikli të ri zgjedhor.