Zgjedhjet e 11 Majit në Shqipëri po perceptohen gjithnjë e më shumë si një përplasje ideologjike globale, sesa thjesht një garë mes partive vendase. Sipas një raportimi të FoxNews, situata politike në vend po konturohet si një betejë mes ndikimit të ideologjisë së ish-Presidentit amerikan Donald Trump dhe agjendës progresive të financuar nga George dhe Alex Soros.
Ish-ambasadori shqiptar në SHBA, në një koment për FoxNews, deklaroi se Shqipëria po shkon drejt një sistemi de facto një-partiak, ku zgjedhjet shërbejnë më shumë për të legjitimuar status-quonë sesa për të ofruar një ndryshim real. “Shqipëria tani është një sistem një-partiak që pretendon se mban zgjedhje”, u shpreh ai, duke akuzuar qeverinë aktuale socialiste për kapje të institucioneve dhe mungesë transparence.
Nga ana tjetër, partitë opozitare kanë intensifikuar akuzat kundër Partisë Socialiste, duke e cilësuar qeverisjen e saj si të zhytur në korrupsion dhe të lidhur ngushtë me interesat ndërkombëtare liberale. Ata promovojnë një narrativë ku identifikohen me vlerat konservatore, mbështetur nga lëvizjet e frymëzuara nga Trump në SHBA.
Mbështetësit e qeverisë, megjithatë, hedhin poshtë këto akuza dhe pretendojnë se reformat e ndërmarra janë në përputhje me aspiratat europiane të vendit, ndërsa e paraqesin opozitën si të paaftë për të ofruar një alternativë serioze.
Zgjedhjet e 11 Majit do të jenë një test i rëndësishëm, jo vetëm për demokracinë shqiptare, por edhe për ndikimin e faktorëve të jashtëm në gjeopolitikën e vendit. Me polarizimin në rritje dhe ndikimet ndërkombëtare gjithnjë e më të dukshme, rezultati mund të ketë pasoja më të gjera sesa thjesht ndërrimi i pushtetit vendor.