Kryeministri Edi Rama deklaroi se data 11 maj është një moment historik për qytetarët shqiptarë, ku ata duhet të zgjedhin mes rrugës drejt Bashkimit Europian ose kthimit pas në “kënetën” politike, siç e cilësoi ai. Nga një takim në Lezhë me gra dhe përfaqësuese të komunitetit, Rama theksoi se vetëm Partia Socialiste ka kapacitetin dhe vullnetin për të mbyllur negociatat për anëtarësim në BE deri në vitin 2027.
Ai e krahasoi 11 majin me ngjarje kyçe të historisë demokratike të vendit, si zgjedhjet e marsit 1992, duke i cilësuar ato si një kthesë historike kur qytetarët zgjodhën rrugën drejt Perëndimit. “Sot është një moment i dytë historik. Populli shqiptar ka mundësinë të vendosë nëse do ta vazhdojmë rrugën drejt integrimit, apo do të mbetemi në llumin e përçarjes politike dhe bllokimit institucional,” – tha Rama.
Sipas tij, alternativat janë të qarta: një vend që përparon drejt BE nën drejtimin e PS-së dhe një Shqipëri që ngec në vendnumëro, e rrethuar nga konfuzioni dhe stagnimi politik. Mesazhi i Ramës ishte i drejtpërdrejtë: ai paralajmëroi se pa Partinë Socialiste dhe pa drejtimin e tij, negociatat me BE nuk mund të ecin përpara.
Duke theksuar se mbi të gjitha, gratë kanë një rol kyç në këtë proces, ai apeloi që ato të jenë aktive në zgjedhjet e 11 majit dhe të ndihmojnë në orientimin e familjeve dhe komuniteteve drejt një të ardhmeje europiane. “Ky është një votim për Shqipërinë e fëmijëve tanë,” përfundoi Rama.