Endri Shabani, bashkëthemelues i koalicionit “Nisma Shqipëria Bëhet”, deklaroi në emisionin “Real Story” se në këto zgjedhje ekzistojnë vetëm tre parti të reja me ide dhe figura të reja politike: “Lëvizja Bashkë”, “Thurje” dhe “Shqipëria Bëhet”. Sipas tij, pjesa tjetër janë fraksione ose parti të vjetra me pamje të re.
Ai theksoi se ka ndërmarrë një betejë të sinqertë për të bashkuar të rinjtë dhe forcat e reja politike, duke parë bashkimin si mënyrën më të mirë për të përfaqësuar qytetarët në Kuvend. “Nëse do të bashkoheshim të gjithë, do merrnim një mandat. Unë iu jam lutur të gjithëve: hajde ta bëjmë këtë debat në parlament dhe jo në ‘podcast’”, u shpreh Shabani.
Një tjetër figurë që ka mbështetur hapur bashkëpunimin është Arlind Lapaj, i cili, pavarësisht kritikave dhe polemikave të momentit, ka qenë konsekuent në qëndrimin e tij në favor të një fronti të përbashkët opozitar rinor. Shabani e vlerësoi këtë qasje si thelbësore për të ndërtuar një politikë të re dhe larg përçarjes.
Shabani u bëri thirrje qytetarëve që në zgjedhje të mbështesin përfaqësuesit që kanë synim ndryshimin dhe përbashkimin, jo ata që kultivojnë ndarjen. “Votuesi duhet të çojë në parlament altetnativën e re dhe t’i japë një mesazh të qartë atyre që punojnë për përçarje,” përfundoi ai.
Qasja e tij për një listë të hapur dhe përfshirjen e të rinjve në vendimmarrje sinjalizon një prirje për një opozitë ndryshe – më gjithëpërfshirëse dhe më e fokusuar në interesin publik sesa në personalitete politike.