KORÇË – Kryeministri Edi Rama, në një takim me gratë dhe vajzat e qarkut të Korçës, u ndal sërish te rëndësia e zgjedhjeve të 11 majit, të cilat i cilësoi si “takim i shqiptarëve me historinë”. Ai theksoi se ky moment është vendimtar për të ardhmen euroatlantike të vendit dhe nuk duhet shpërdoruar për interesa personale.
Duke folur për mundësitë që Shqipëria ka sot, Rama nënvizoi se anëtarësimi në Bashkimin Evropian nuk është më thjesht një premtim abstrakt, por një objektiv konkret me një afat të cilin BE e ka vendosur në bashkëpunim me Tiranën – deri në vitin 2027. “Për herë të parë kemi një afat të përcaktuar. Kjo është një mundësi historike që duhet shfrytëzuar me mençuri dhe unitet,” tha ai.
Gjatë fjalës së tij, Kryeministri u shpreh qartazi se vendimi i 11 majit është shumë më tepër se një zgjedhje politike. Ai e përshkroi si një rrugëmes që ndan përkushtimin ndaj interesit kombëtar dhe përparimit të vendit nga “hallin e një njeriu të vetëm” dhe interesat personale që, sipas tij, pengojnë rrugën drejt BE-së.
Rama theksoi edhe rolin unik që Partia Socialiste ka në këtë proces, duke e cilësuar atë si të vetmen forcë politike që garanton vijimësinë e reformave dhe realizimin e ëndrrës së integrimit evropian. “Në 11 maj vendoset nëse Shqipëria do të ecë drejt Evropës apo do të kthehet pas, në balta politike dhe retorikë boshe. Zgjedhja është juaja,” përfundoi ai, duke bërë thirrje për pjesëmarrje të gjerë dhe përgjegjësi qytetare.