William Saliba, mbrojtësi i qendrës për Arsenalin dhe kombëtaren franceze, ka ndarë emocionet dhe ëndrrat e tij përmes një interviste të dhënë për kanalet zyrtare të UEFA-s. Për Salibën, lidhja me klubin londinez ka lindur që në fëmijëri, duke u rritur duke parë ikonat si Thierry Henry dhe ndeshjet e Arsenalit në Champions League.
“E kam dashur këtë klub që i vogël,” tha Saliba. “Unë u rrita duke parë Henry-n. Ndonjëherë kam pasur fatin ta shoh Arsenalin në Champions.” Këto kujtime kanë luajtur një rol të rëndësishëm në formësimin e ambicieve të tij si futbollist profesionist.
Pas më shumë se 120 paraqitjesh me fanellën e “Topçinjve” në të gjitha garat, mbrojtësi 23-vjeçar ka arritur të luajë 19 ndeshje në Ligën e Kampionëve. Pavarësisht moshës së re, ai është shndërruar në një element kyç të mbrojtjes së Arsenalit, duke treguar maturi dhe qetësi në ndeshje të mëdha.
“Më është dashur të punoj shumë për të arritur këtu. Nuk ka qenë gjithmonë e lehtë, por besimi dhe përkushtimi më kanë ndihmuar të arrij këtë nivel,” theksoi Saliba. Ai u shpreh se synimi kryesor është fitorja e Champions-it me Arsenalin, një ëndërr që lidhet ngushtë me kujtimet e tij të hershme si tifoz.
Me një ekip të ri, ambicioz dhe të udhëhequr nga Mikel Arteta, Arsenal duket më afër se kurrë për të realizuar këtë objektiv historik. Saliba jo vetëm që përfaqëson të ardhmen e klubit, por edhe pasionin dhe lidhjen emocionale që shumë futbollistë kanë me fanellën që e kanë dashur që fëmijë.