Në një atmosferë të rënduar nga tronditja dhe dhimbja, të shtunën iu dha lamtumira e fundit Gjovalin Prendit, 64-vjeçarit i cili u ekzekutua dy ditë më parë në Pllanë të Lezhës. Ceremonia mortore u zhvillua në fshatin e tij të lindjes, në praninë e një numri të kufizuar pjesëmarrësish dhe nën masa të rrepta sigurie.
Policia e Shtetit mori masa të shtuara parandaluese gjatë ceremonisë, pasi situata shënon një përshkallëzim të tensioneve mes palëve në konflikt. Autoritetet kishin informacione të besueshme që sugjeronin mundësinë e përshkallëzimit të mëtejshëm të konflikteve, të cilat dyshohet se lidhen me të kaluarën problematike të familjes së viktimës.
Burime pranë Policisë së Lezhës bëjnë të ditur se djali i Gjovalin Prendit, Roan Brahimi, ka qenë i përfshirë në konflikte të shumta në zona të ndryshme të veriut të vendit. Për pasojë, prania e rritur e forcave të rendit kishte për qëllim ruajtjen e rendit dhe shmangien e një përplasjeje të mundshme gjatë zhvillimit të funeralit. Në këtë kontest, u angazhuan edhe forca të ndërhyrjes së shpejtë, ndërsa rrugët përreth kishin prani të vazhdueshme policore.
Përtej gjendjes së tensionuar, anëtarët e familjes dhe të afërm të shumtë shfaqën dhimbjen për humbjen e rëndë, ndërkohë që kërkojnë drejtësi dhe një hetim të thelluar për zbardhjen e plotë të rrethanave të vrasjes.
Ngjarja ka trazuar opinionin publik, ndërsa autoritetet vijojnë hetimet intensive për të zbuluar autorët dhe motivet e sakta të atentatit. Në orët në vijim priten zhvillime të reja, ndërkohë që komuniteti në Lezhë mbetet ende i tronditur.