Prej më shumë se tri dekadash, qytetarët shqiptarë janë dëshmitarë të një gare të pandërprerë mes partive politike, të cilat ndërrohen në pushtet duke premtuar përmirësim ekonomik, rritje pagash dhe rritje mirëqenieje. Megjithatë, realiteti tregon një tablo tjetër: shqiptarët sot janë ndër më të varfrit në rajon, me paga dhe pensione që mbeten mbi 30% më të ulëta krahasuar me vendet fqinje si Mali i Zi, Maqedonia e Veriut apo Serbia.
Ekonomia shqiptare ka përjetuar ndryshime të thella që nga vitet ’90, por jo gjithmonë për mirë. Qeveritë e djathta dhe të majta kanë pasur mundësinë të administrojnë vendin në cikle të ndryshme. E djathta u përpoq të promovojë liberalizimin dhe privatizimin, ndërsa e majta premtoi rritje të rolit social të shtetit dhe drejtësi ekonomike.
Sipas të dhënave nga institucionet vendase dhe ndërkombëtare, periudha më progresive për rritjen e pagës mesatare ndodhi gjatë viteve 2006-2009, ndërsa pensionet patën një rritje të konsiderueshme në mes të dekadës së dytë të viteve 2000. Por këto progres janë zbehur nga inflacioni, emigracioni masiv, papunësia dhe dështimi për tërhequr investime afatgjata.
Të gjitha qeveritë kanë pretenduar suksesin e tyre, por të dhënat flasin për një stagnim të vazhdueshëm. Shqipëria ka mbetur prapa në indeksin e zhvillimit njerëzor dhe në nivelin e jetesës.
Në këtë garë të keqqeverisjes, palët politike mund të deklarojnë fitore sipas statistikave të tyre, por në të vërtetë, humbësit kryesorë janë vetë qytetarët shqiptarë – që edhe pas 30 vitesh tranzicion, ende presin një ekonomi që t’u garantojë dinjitet dhe të ardhme më të mirë në vendin e tyre.