Kryeministri Edi Rama zhvilloi një takim me të rinjtë e Kamzës, ku vlerësoi ndryshimet e ndodhura në këtë zonë si një shembull i prekshëm i transformimit që mund të arrijë një qytet kur investohet dhe drejtohet me vizion. Ai theksoi se Kamza dhe Paskuqani, dikur simbol i stanjacionit urban, sot janë dëshmi konkrete të progresit.
Sipas Ramës, në dy vitet e fundit është bërë një punë e madhe në infrastrukturë, arsim, shërbime publike dhe mjedis. Investimet në rrugë, zgjerimi i aksesit në arsimin cilësor dhe rritja e pastërtisë dhe gjelbërimit në qytet janë rezultatet që, sipas tij, shihen me sy të lirë. Ai theksoi se e gjithë kjo ndodhi pasi qytetarët vendosën t’i japin Partisë Socialiste shansin për të qeverisur në këtë bashki.
Duke kritikuar besnikërinë e verbër ndaj partive për vite me rradhë, Rama tha se shumë kohë u humb pa zhvillim real për shkak të mentalitetit se vota është një mjet tifozërie dhe jo një mjet vendimmarrjeje. Ai rikujtoi rëndësinë që ka vota si e vetmja mënyrë për qytetarët për të ndryshuar realitetin.
“Kushdo që e viziton sot Kamzën e kupton se ky qytet është më shumë se një vend – është një libër i hapur që tregon kapitull pas kapitulli se ç’do të thotë transformim përmes punës,” tha Rama, duke shtuar se ky është vetëm fillimi i asaj që do të ndodhë në Shqipërinë e 2030-ës, me rrugën drejt BE-së si objektiv kryesor.
Mesazhi për të rinjtë ishte i qartë: angazhim dhe besim tek zhvillimi, jo tek ndasitë e vjetra politike.