Thomas Myler, një nga figurat më ikonike të Bayern Munich, ka njoftuar zyrtarisht largimin e tij nga klubi në fund të këtij sezoni. Pas më shumë se një dekade dhe gjysmë në radhët e bavarezëve, legjenda gjermane ka bërë të ditur se nuk i është ofruar rinovimi i kontratës, çka e ka detyruar të marrë një vendim të vështirë. Ai e bëri publik këtë hap përmes një letre emocionale të shpërndarë në rrjetet sociale, ku shpreh mirënjohjen për gjithçka që ka përjetuar me klubin.
“Pas shumë reflektimeve dhe bisedave me familjen, ka ardhur momenti të mbyll këtë kapitull të jetës sime. Doja me gjithë zemër të qëndroja, por vendimet nuk ishin në duart e mia. Bayern-i është familja ime dhe kjo dhimbje është e vërtetë,” shkroi mesfushori ofensiv, duke përcjellë emocione të thella te tifozët.
Myler u bashkua me ekipin e parë të Bayern në vitin 2009 dhe në më shumë se 15 sezone, ka qenë pjesë kyçe e sukseseve më të mëdha të klubit, përfshirë 11 tituj radhazi në Bundesligë dhe dy Liga të Kampionëve. Me një stil loje unik, nuhatje perfekte për golin dhe shpirt luftarak, ai është shndërruar në simbolin e qëndrueshmërisë dhe përkushtimit në futbollin modern.
Largimi i tij lë një boshllëk të thellë jo vetëm në fushë, por edhe në dhomat e zhveshjes, ku ai ka qenë gjithmonë lideri emocional i skuadrës. E ardhmja e Myler në futboll mbetet e hapur, por dashuria që ai ka për fanellën e Bayernit do të mbetet e përjetshme tek tifozët gjermanë.