Të martën në mbrëmje, Këshilli i Sigurimit i OKB-së u bë skenë e një përplasjeje të fortë diplomatike mes Kosovës dhe Serbisë, gjatë diskutimeve për raportin gjashtëmujor të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së për UNMIK-un. Ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla, akuzoi Serbinë për destabilizim të qëllimshëm të rajonit, duke përmendur ndër të tjera edhe sulmin në Banjskë, ku një grup paramilitar serb i udhëhequr nga Millan Radoiçiq kreu një inkursion të armatosur në territorin kosovar në shtator 2023.
Gërvalla i konsideroi këto veprime si sulm të drejtpërdrejtë nga një shtet ndaj një tjetri, duke përmendur edhe sulmin ndaj infrastrukturës kritike në kanalin Ibër-Lepenc. Serbia i mohoi akuzat, por përplasja vazhdoi me fjalën e Ministrit të Jashtëm serb, Marko Gjuriq, i cili e akuzoi Qeverinë e Kosovës për shtypje të institucioneve serbe në veri dhe për vështirësimin e jetës së përditshme të komunitetit serb.
Ambasadori amerikan, John Kelley, bëri thirrje për qetësi dhe dialog, duke theksuar rëndësinë e normalizimit të marrëdhënieve për stabilitetin rajonal. Ndërkohë, përfaqësuesi rus, Vasili Nebensja, mbajti qëndrim të ashpër ndaj Kosovës, duke akuzuar për përpjekje për dëbimin e serbëve dhe dështim të BE-së si ndërmjetëse.
BE-ja nga ana e saj i ftoi të dyja palët të nisin zbatimin e marrëveshjes së vitit 2023 për normalizimin e marrëdhënieve. Kosova dhe SHBA gjithashtu kërkuan mbylljen e mandatit të UNMIK-ut, duke e vlerësuar atë si të tejkaluar në realitetin e tanishëm politik.