Një tender publik me vlerë mbi 10 milion euro, i shpallur nga Këshilli i Lartë Gjyqësor (KLGJ) për mirëmbajtjen dhe zhvillimin e mëtejshëm të sistemit të menaxhimit të çështjeve gjyqësore, ka ngritur shqetësime të forta për konflikt interesi dhe favorizim politik. Tenderi është fituar nga bashkimi i operatorëve ekonomikë “Kreatx” dhe “Soft & Solution”, kompani që sipas raportimeve të Boldnews.al, kanë lidhje të ngushta me figura të afërta me pushtetin aktual.
“Kreatx” drejtohet nga vëllai i Damian Gjiknurit, një ndër figurat kryesore të Partisë Socialiste dhe ish-ministër në disa kabinete të qeverive të Edi Ramës. Ndërsa “Soft & Solution” është në pronësi të biznesmenit Ermal Beqiri, i cili gjithashtu konsiderohet i lidhur me rrethin e ngushtë të njerëzve me ndikim në qeveri. Të dyja këto kompani kanë përfituar ndër vite kontrata të rëndësishme me institucionet publike, duke ngritur dyshime për mungesë konkurrence reale dhe transparence në procesin e përzgjedhjes së ofertuesve fitues.
Ky tender është veçanërisht sensitiv për vetë natyrën e tij – administrimi i sistemit të çështjeve gjyqësore përbën një hallkë kyçe në reformën në drejtësi, e cila ka pasur si qëllim pikërisht luftimin e korrupsionit dhe rritjen e besimit të publikut tek drejtësia. Fakti që përfitues janë individë të lidhur me politikën ngre pikëpyetje të forta mbi integritetin e kësaj reforme dhe pavarësinë e institucioneve të reja të drejtësisë.
Nga ana tjetër, mungesa e një gare të hapur dhe e standardeve të larta etike dhe profesionale në realizimin e tenderave të tillë, rrezikon të cënojë besimin publik dhe procesin e ndërtimit të një sistemi të drejtë, transparent dhe të paanshëm gjyqësor.