Tarifat e reja të vendosura nga administrata Trump kanë goditur edhe Greqinë, duke mos kursyer as sektorin e saj më të rëndësishëm – bujqësinë. Veçanërisht, produktet tradicionale si ullinjtë, vera, djathi feta dhe mjalti janë në qendër të kësaj situate të re tregtare, pasi tarifa prej 20% ndaj produkteve të Bashkimit Europian rrezikon konkurrueshmërinë e tyre në tregun amerikan.
Ekspertët grekë e shohin ndikimin në afat-shkurtër si të përmbajtur, por paralajmërojnë për pasoja më afatgjata. Sipas vlerësimeve ekonomike, PBB e vendit mund të pësojë një rënie pre 0.5%, që ekuivalon me rreth 1.1 miliardë euro humbje ekonomike. Ky zhvillim është veçanërisht shqetësues për eksportet bujqësore, të cilat përbëjnë 32% të totalit të eksporteve greke. Ullinjtë, me mbi 214 milionë euro në eksporte drejt SHBA-së, përfaqësojnë sektorin më të eksponuar ndaj goditjes tarifore.
Presidenti i Shoqatës Panhelenike të Eksportuesve, Alkiviadis Kalampokis, ka theksuar se “ky është momenti kur solidariteti europian duhet të dëshmohet konkretisht”, duke kërkuar zgjidhje kolektive nga BE-ja. Kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis, ka kritikuar politikën tarifore amerikane, duke theksuar se produktet si djathi feta apo ullinjtë nuk konkurrojnë direkt me produkte vendase amerikane, pasi nuk prodhohen atje, çka i bën tarifat “të pajustifikuara”.
Ndërkohë, tregjet financiare në Greqi kanë reaguar negativisht; bursa e Athinës ka humbur mbi 7 miliardë euro brenda tre ditëve të fundit. Indeksi i saj kryesor ka rënë poshtë mesatares së 200 ditëve, duke reflektuar pasigurinë ekonomike.
Qeveria greke synon të përgjigjet përmes diversifikimit të tregjeve dhe ruajtjes së disiplinës fiskale në këtë klimë tregtare të përshkallëzuar.