Prej një jave, misteri rrethon zhdukjen e 22-vjeçares Ilaria Sula, studente shqiptare në Universitetin Sapienza të Romës, Fakulteti i Statistikave. Ajo u largua nga banesa që ndante me shoqe në zonën Furio Camillo më 25 mars dhe që prej asaj dite nuk ka asnjë kontakt me të. Prindërit dhe familjarët e saj në Shqipëri janë thellësisht të shqetësuar dhe kanë denoncuar zhdukjen në autoritetet italiane.
Burime pranë hetimit bëjnë me dije se do të shqyrtohen mundësitë e një largimi të vullnetshëm, megjithatë disa elemente ngrenë dyshime për një ngjarje të papritur dhe të pazakontë. Sipas shoqeve të saj, Ilaria nuk kishte shprehur shqetësime të mëdha ditët e fundit, por ndikimet psikologjike të jetesës jashtë vendit, ngarkesa akademike dhe mungesa e një rrjeti të fortë social në një vend të huaj mund të kenë luajtur rol.
Autoritetet kanë nisur kontrollin e kamerave të sigurisë pranë apartamentit dhe linjave të transportit publik për të gjetur gjurmë të saj. Ndërkohë, aktivizimi i mediave sociale ka sjellë mbështetje të gjërë prej komunitetit shqiptar dhe studentëve të huaj në Itali.
Familja ka bërë thirrje për çdo person që ka informacion të kontaktojë policinë, duke theksuar se çdo detaj, sado i vogël, mund të jetë vendimtar për zbardhjen e këtij rasti. Zhdukja e Ilarias ngre pyetje mbi sigurinë e studentëve të huaj dhe mungesën e sistemit të mbështetjes që ata përballen në vendet ku studiojnë. Hetimet vazhdojnë ndërsa një komunitet i tërë lutet për kthimin e saj të sigurt.