Elisa Spiropali, Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, po zhvillon një vizitë zyrtare në Parlamentin Hollandez, ku u prit nga Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, Martin Bosma, dhe Kryetari i Senatit, Jan Anthonie Bruijn. Në këtë takim ishte i pranishëm edhe Ambasadori i Shqipërisë në Vendet e Ulëta, Artur Kuko.
Gjatë takimit, Spiropali vlerësoi marrëdhëniet e shkëlqyera mes Shqipërisë dhe Holandës dhe theksoi rëndësinë e mbështetjes holandeze për rrugëtimin europian të vendit. Ajo theksoi përparimet që Shqipëria ka bërë në reformat kyçe, duke nënvizuar angazhimin e Kuvendit në forcimin e shtetit të së drejtës dhe luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Holanda, si një vend me ndikim në Bashkimin Europian, ka qenë një partnere kyçe në procesin e integrimit të Shqipërisë. Kryetarët e Dhomës së Përfaqësuesve dhe Senatit e konfirmuan mbështetjen e tyre për reformat demokratike në Shqipëri dhe shprehën gatishmërinë për të forcuar dialogun politik dhe bashkëpunimin mes institucioneve parlamentare të të dyja vendeve.
Në këtë kuadër, u dakordësua për intensifikimin e shkëmbimeve institucionale, rritjen e bashkëpunimit ekonomik dhe forcimin e marrëdhënieve dypalëshe në fusha të ndryshme. Spiropali shprehu mirënjohjen për mbështetjen e Holandës në procesin e integrimit dhe theksoi rolin e Kuvendit Shqiptar në garantimin e një demokracie funksionale dhe të një sistemi të konsoliduar drejtësie.
Kjo vizitë nënvizon rëndësinë e marrëdhënieve mes dy vendeve dhe hap horizonte të reja për thellimin e bashkëpunimit në kuadër të integrimit europian të Shqipërisë.