Hetimet e nisura nga SPAK ndaj kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, kanë marrë së fundmi një kthesë të re, duke përfshirë edhe Bashkinë e Fierit. Zyra e Prokurorisë së Posaçme ka nisur mbledhjen e provave për një tender të dyshuar si abuziv, i zhvilluar në vitin 2021 nga kjo bashki, e drejtuar nga Armando Subashi. Tenderi, me një vlerë prej rreth 24 mijë eurosh, kishte si objekt “Konsulencë e jashtme për propozim ligjesh” – një shërbim që, sipas burimeve pranë hetimit, ngre dyshime të forta për mungesë transparence dhe konflikt interesi.
Hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH) kanë zhvilluar kontrolle dhe kanë sekuestruar dokumentacion për të verifikuar mënyrën si është zhvilluar procesi i tenderimit, përzgjedhjen e subjektit fitues dhe përmbushjen e kontratës. Kjo lëvizje e SPAK shënon një zgjerim të hetimit kundër Veliajt, duke sinjalizuar se rrjeti i dyshimeve për abuzime me fondet publike mund të shtrihet përtej një bashkie të vetme, duke përfshirë figura të tjera politike vendore.
Ky tender është raportuar më herët nga Boldnews.al si i dyshimtë, për shkak të mungesës së nevojës së qartë për një konsultim të tillë dhe vlerës së konsiderueshme të kontratës për një shërbim me output të pasigurt. Rasti shton presionin mbi institucionet lokale për të garantuar transparencë dhe ligjshmëri në procedurat e prokurimeve publike.
SPAK pritet të dalë me më shumë detaje në ditët në vijim, teksa hetimi vijon, por ky episod veçon rrezikun e praktikave të abuzimit me fondet publike nën petkun e procedurave të rregullta administrative.