Skënder Gega u rikthye në pankinën e Partizanit vetëm dy ditë përpara sfidës së rëndësishme kundër Laçit, në një moment ku skuadra ndodhej në krizë rezultatesh dhe pa identitet të qartë në fushën e lojës. Emërimi i Gegës riktheu menjëherë emocionet dhe pritshmëritë e tifozëve të kuq, por për një trajner edhe me përvojën e tij, sfida ishte e madhe: pa kohë për të punuar me grupin dhe pa mundësi për të analizuar në detaje kundërshtarin.
Megjithatë, Gega përmbysi fatin dhe arriti një fitore me rëndësi, duke motivuar lojtarët dhe duke krijuar një frymë të re brenda skuadrës. Pavarësisht fitores, pamja e lojës mbetet një problem për Partizanin. Skuadra vazhdon të vuajë ndërtimin e aksioneve, harmoninë mes reparteve dhe ka vështirësi për të qenë dominuese gjatë gjithë ndeshjes. Shpesh ngjan si një ekip që reagon ndaj momentit dhe më shumë mbështetet te individët sesa te struktura kolektive.
Gega dallohet për organizimin taktik dhe disiplinën që kërkon, prandaj me kohën e duhur pritet të sjellë stabilitet. Ai është dëshmuar në të kaluarën si një trajner që di të ndërtojë një skuadër konkurruese dhe me karakter, por do t’i duhet durim dhe mbështetje për ta arritur këtë edhe tani.
Fitorja ndaj Laçit ishte një hap i parë pozitiv, por ajo nuk duhet të mbulojë mangësitë që ekzistojnë aktualisht. Loja e dobët dhe mungesa e qartësisë taktike janë sfida që Gega duhet të zgjidhë me urgjencë, nëse Partizani kërkon të pretendojë objektiva seriozë në këtë sezon. Koha është e shkurtër dhe kampionati nuk pret.