Siguria ushqimore në Shqipëri ka hyrë në një krizë të thellë, dhe ngjarja e fundit e denoncuar nga gazetari Klodian Tomorri e ilustron më së miri këtë realitet shqetësues. Në një postim në rrjetet sociale, Tomorri ka publikuar foto të një produkti ushqimor të mykur, konkretisht djathi ricota i markës “Valle Verde”, i blerë në një nga njësitë e rrjetit “Conad” në Tiranë.
Ky produkt, ndonëse kishte një datë skadence të afishuar për 12 maj – vetëm një ditë pas zgjedhjeve – ishte në gjendje të konsumuar tërësisht të papërshtatshme, përplot myk dhe erë të pakëndshme. Ndodhi të tilla jo vetëm që hedhin dritë mbi mungesën e kontrolleve cilësore në zinxhirin e furnizimit, por vënë në rrezik të drejtpërdrejtë shëndetin e qytetarëve.
Përveç çmimeve të larta që ofron supermarketi “Conad” në krahasim me vende të tjera, konsumatorët shqiptarë përballen edhe me produkte potencialisht të rrezikshme. Sipas gazetarit, “Conad në Shqipëri jo vetëm të rrjep, por edhe të helmon”, një akuzë e rëndë që kërkon reagim urgjent nga autoritetet përkatëse.
Zinxhiri i supermarketeve duhet të mbajë përgjegjësi ligjore dhe morale për produktet që shet në treg. Konsumatorët, nga ana tjetër, kërkojnë transparencë dhe masa konkrete për të siguruar që raste të tilla nuk përsëriten.
Ndërkaq, reagimi nga institucionet përkatëse ka munguar, gjë që thellon mosbesimin e publikut ndaj procesit të kontrollit ushqimor në vend. Është mëse e nevojshme që çdo subjekt tregtar të monitorohet dhe kontrollohet rregullisht. Vetëm përmes kontrolleve të forta dhe transparencës mund të rikthehet besimi i konsumatorëve shqiptarë.