Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, priti sot Përfaqësuesen e Lartë për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë e BE-së, Kaja Kallas, duke theksuar përkushtimin e palëkundur të Shqipërisë ndaj aspiratës së saj evropiane dhe vlerave themelore të Bashkimit Evropian.
Në qendër të takimit ishin përparimi i Shqipërisë në negociatat për anëtarësim dhe sfidat gjeopolitike të rajonit. Presidenti Begaj shprehu mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme të BE-së, duke vënë në dukje rëndësinë e zgjerimit evropian për sigurinë dhe stabilitetin e Ballkanit Perëndimor. Ai garantoi se Shqipëria do të vijojë të veprojë si faktor stabilizues dhe partner konstruktiv në rajon, në përputhje të plotë me politikën e jashtme të BE-së.
Presidenti vlerësoi posaçërisht Planin e Rritjes dhe asistencën financiare të BE-së për Shqipërinë, duke e parë atë si një nxitje për progresin tekniko-politik dhe socio-ekonomik të vendit. Shqipëria, theksoi ai, mbetet e angazhuar në mbrojtjen e të drejtave themelore, forcimin e demokracisë dhe zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik.
Në këtë drejtim, Begaj ritheksoi objektivin strategjik të hapjes së të gjithë kapitujve negociues deri në fund të vitit dhe përmbylljen e tyre brenda vitit 2027, me synim anëtarësimin e plotë në vitin 2030.
Po ashtu, Presidenti bëri të ditur se Shqipëria do të vijojë të angazhohet në misionet e sigurisë të BE-së përmes mekanizmave si CSDP, duke kontribuar në arkitekturën evropiane të sigurisë. Ai potencoi mbështetjen e gjerë popullore për integrimin evropian, e cila ka mbetur e fortë dhe e qëndrueshme për më shumë se tre dekada.