SHBA “zbutet” me vendosjen e tarifave, Trump: Mund të bëj përjashtime për disa vende, por…
Presidenti amerikan, Donald Trump, ka lënë të kuptohet se disa vende mund të përjashtohen nga tarifat e reja që administrata e tij ka planifikuar të vendosë mbi importet. Këto tarifa pritet të hyjnë në fuqi javën e ardhshme si pjesë e përpjekjeve të Trump për të mbrojtur industrinë amerikane dhe për të korrigjuar atë që ai e quan si “marrëveshje të padrejta tregtare”.
“Unë mund të jap përjashtime për disa vende,” tha Trump gjatë një konference për shtyp, duke theksuar se masat e reja tarifore synojnë të balancojnë tregtinë ndërkombëtare, por mund të ketë fleksibilitet për disa partnerë ekonomikë. “Është një vendim reciprok, por ne mund të jemi më të butë se kaq. Ne kemi qenë gjithmonë shumë të hapur ndaj bashkëpunimit,” shtoi ai.
Përjashtimi i mundshëm i disa vendeve nga tarifat mbi aluminin dhe çelikun është parë si një përpjekje për të shmangur një përshkallëzim të tensioneve tregtare me aleatët kryesorë të SHBA-së, përfshirë Kanadanë dhe Meksikën. Megjithatë, ende nuk ka një listë përfundimtare të vendeve që mund të përfitojnë nga këto lehtësime.
Kritikët kanë paralajmëruar se një regjim i tillë tarifor mund të shkaktojë një luftë tregtare globale dhe të prekë rëndë industrinë amerikane. Nga ana tjetër, mbështetësit argumentojnë se një qasje më e ashpër ndaj tregtisë mund të ndihmojë rimëkëmbjen e prodhimit vendas dhe të mbrojë vendet e punës në SHBA.
Në vazhdën e këtyre zhvillimeve, administrata amerikane pritet të zbulojë më shumë detaje mbi parametrat e tarifave dhe kriteret për përjashtimet e mundshme në ditët në vijim.