Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, njoftoi të shtunën se Shtetet e Bashkuara kanë vendosur të shtyjnë për herë të tretë zbatimin e sanksioneve kundër Industrisë Serbe të Naftës (NIS). Sipas tij, sanksionet që fillimisht pritej të hynin në fuqi më 28 prill, tani janë shtyrë deri më 27 qershor. “Lajm i mirë për qytetarët e Serbisë. Serbia ka arritur të marrë një shtyrje të re të sanksioneve ndaj NIS-it, kësaj radhe për dy muaj. Faleminderit partnerëve tanë amerikanë për mirëkuptimin e qëndrimit të Serbisë”, shkroi Vuçiç në Instagram.
Industria Serbe e Naftës u përfshi në listën e sanksioneve amerikane më 10 janar, për shkak të faktit se kompania ruse Gazprom Neft zotëron pjesën më të madhe të aksioneve të saj. Kjo masë është pjesë e përpjekjeve të SHBA-së për të kufizuar mundësitë financiare të Rusisë, duke ndaluar përdorimin e të ardhurave nga industria energjetike për të financuar luftën në Ukrainë.
Shtyrja e re e sanksioneve shihet si një kohë e vlefshme për Serbinë, për të menaxhuar ndikimin ekonomik që masat ndëshkuese mund të kenë në sektorin e energjisë dhe ekonominë e brendshme. Vuçiç ka theksuar vazhdimisht nevojën për të ruajtur stabilitetin energjetik dhe ekonomik të vendit mes presioneve ndërkombëtare. Megjithatë, mbetet e paqartë nëse do të ketë një zgjidhje afatgjatë apo nëse Serbia do të duhet të përballet me pasoja më të rënda në muajt në vijim.