Ligjvënësit në Dumën e Shtetit, dhoma e ulët e Parlamentit rus, ratifikuan të martën një traktat 20-vjeçar për partneritet strategjik me Iranin, duke thelluar më tej bashkëpunimin mes dy vendeve, në një kohë kur të dyja janë objekt sanksionesh të ashpra nga Perëndimi dhe Shtetet e Bashkuara. Marrëveshja, e nënshkruar fillimisht në janar nga Presidenti rus Vladimir Putin dhe homologu i tij iranian Masoud Pezeshkian, synon krijimin e një boshti të qëndrueshëm strategjik kundër ndikimit perëndimor global.
Ky zhvillim nxit shqetësime serioze në Uashington dhe vendet anëtare të NATO-s, për shkak të konvergjencës në rritje të interesave politike, ushtarake dhe ekonomike midis Moskës dhe Teheranit. Traktati përfshin bashkëpunim të thelluar në fushën e mbrojtjes, ndarjen e teknologjive të ndjeshme ushtarake, bashkëkoordinim diplomatik në forumet ndërkombëtare dhe zgjerim të kapaciteteve energjetike dhe tregtare.
Në kontekstin e luftës në Ukrainë dhe ngritjes së tensioneve në Lindjen e Mesme, ky aleancë strategjike shihet nga ekspertët si një përpjekje për të ndërtuar një rend alternativ shumëpolar, ku Rusia dhe Irani kërkojnë të zbehin ndikimin amerikan dhe europian. Sipas analistëve perëndimorë, kjo lëvizje përfaqëson jo vetëm një përshkallëzim të sfidës kundër normave ndërkombëtare por edhe një kërcënim të mundshëm për stabilitetin global.
Ndërkohë, zyrtarët iranianë e kanë quajtur traktatin një fitore të diplomacisë së pavarur dhe një hap drejt garantimit të sovranitetit ekonomik dhe të sigurisë. Për Rusinë, marrëveshje të tilla sinjalizojnë vendosmërinë për të ndërtuar aleanca afatgjata me vende që ndajnë interesa të përbashkëta gjeopolitike dhe janë të gatshme të sfidojnë hegjemoninë perëndimore.