Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, në prezantimin e programit politik të PD-së zhvilluar në Pallatin e Kongreseve, theksoi nevojën urgjente për reformimin e thellë të shëndetësisë dhe arsimit në Shqipëri. Ai deklaroi se vendi ynë ka një mungesë alarmante të mjekëve, katër herë më pak për frymë se vendet e Bashkimit Evropian.
Berisha theksoi se situata në spitale është tejet dramatike, duke përmendur problemet serioze në spitalin Onkologjik, ku pacientët shpeshherë mbeten pa mjekime për shkak të keqmenaxhimit dhe korrupsionit. Ai u zotua për dyfishim të pagave të mjekëve dhe infermierëve, si dhe modernizim të infrastrukturës spitalore me pajisje bashkëkohore.
Në lidhje me arsimin, Berisha tha se rinisja e reformës arsimore do të jetë prioritet absolut. Ai kritikoi rënien e nivelit të dijes, të reflektuar edhe në rezultatet katastrofike të testit ndërkombëtar PISA, ku Shqipëria shënoi rënien më dramatike në botë. Sipas tij, paga minimale për mësuesit do të jetë 1500 euro, duke i bërë ata më të paguarit në rajon.
Berisha theksoi se buxheti për arsimin dhe shëndetësinë do të dyfishohet dhe se çdo shkollë në vend do të pajiset me teknologji të informacionit. Objektivi është që nxënësit shqiptarë të jenë të barabartë në garën globale të dijes me moshatarët e tyre në çdo cep të botës.
Ai përmbylli fjalën me premtimin se përmes këtyre reformave, Shqipëria do të ndërtojë një ardhme më të drejtë, më të shëndetshme dhe më konkurruese për qytetarët e saj.