Virgil Van Dijk vazhdon të jetë një nga figurat kyçe në skuadrën e Liverpool-it, por e ardhmja e tij ka ngritur pikëpyetje te tifozët, duke qenë se ai ende nuk ka rinovuar kontratën që skadon në vitin 2025. Mbrojtësi holandez, i cili për vite me radhë ka qenë simbol i stabilitetit në prapavijën e klubit anglez, ka dhënë së fundmi një lajm premtues në lidhje me të ardhmen e tij.
Pas fitores kundër Fulham, Van Dijk konfirmoi se kanë nisur bisedimet për rinovimin dhe se po ecin në drejtimin e duhur. “Ka përparim në tratativa, po. Dëgjo, këto janë diskutime të brendshme dhe nuk është momenti të flas më shumë, por gjërat po shkojnë mirë,” u shpreh ai për mediat britanike.
Kjo deklaratë ka shtuar optimizmin në radhët e tifozëve të “The Reds”, veçanërisht tani që skuadra është në një periudhë tranzicioni pas largimit të trajnerit historik Jürgen Klopp. Van Dijk jo vetëm është kapiteni aktual i ekipit, por edhe një figurë që mund të ndihmojë në ruajtjen e stabilitetit dhe vazhdimësisë në këtë fazë të re të klubit.
Klubi duket i interesuar për të mbajtur shërbimet e holandezit, ndërkohë që Van Dijk mbetet një nga më të paguarit në skuadër dhe mbetet favorit për të rinovuar. Për Liverpool-in, ruajtja e një lideri si ai është më shumë se një çështje teknike – është një investim në frymën dhe kulturën e skuadrës.
Sido që të jetë, negociatat janë në vijim e sipër dhe mbetet për t’u parë nëse do të arrihet një marrëveshje për të zgjatur qëndrimin e tij në Anfield edhe për disa sezone të tjera.