Qeveria e Republikës Sërpska ka ndërmarrë një hap të paprecedentë diplomatik duke shpallur “person non grata” ministren gjermane për Evropën dhe Klimën, Anna Luhrmann. Ky vendim u bë publik të premten, vetëm një ditë pasi Gjermania së bashku me Austrinë ndaluan hyrjen në territorin e tyre të tre udhëheqësve më të lartë të këtij entiteti – presidentit Millorad Dodik, kryeministrit Radovan Višković dhe kreut të Asamblesë Kombëtare, Nenad Stevandić.
Autoritetet gjermane dhe ato austriake e justifikuan ndalimin me arsyetimin se liderët e Republikës Sërpska kanë kontribuar në përshkallëzimin e krizës kushtetuese në Bosnje e Hercegovinë. Sipas tyre, veprimet e këtyre zyrtarëve kanë sfiduar rendin kushtetues dhe kanë rrezikuar stabilitetin rajonal, veçanërisht duke minuar autoritetin e institucioneve shtetërore boshnjake.
Në një deklaratë zyrtare, Qeveria e Republikës Sërpska e konsideroi këtë masë si “ndërhyrje të drejtpërdrejtë në punët e brendshme” dhe një shkelje të konventave ndërkombëtare. Vizita e Anna Luhrmann në Bosnje e Hercegovinë, e planifikuar për të nënvizuar mbështetjen gjermane për integritetin territorial të shtetit dhe për reformat euroatlantike, u interpretua nga udhëheqësit serbë si provokim politik.
Qeveria e këtij entiteti deklaroi se masa reciproke kundër Luhrmann është një përgjigje “proporcionale dhe legjitime”, duke theksuar se po mbron integritetin politik dhe institucionet e Republikës Sërpska. Ky veprim pritet të përkeqësojë më tej marrëdhëniet mes Republikës Sërpska dhe fuqive perëndimore, duke e thelluar ndarjen e brendshme në Bosnje e Hercegovinë në një periudhë tejet të ndjeshme politike dhe diplomatike.