Në një rrëfim të sinqertë dhe emocional në emisionin “Mam” të Orinda Hutës, këngëtarja e njohur Olta Boka ka ndarë një pjesë të jetës së saj personale, duke zbuluar se ardhja e vajzës Gaia ka sjellë ndryshime të mëdha në jetën e saj si grua, nënë dhe bashkëshorte.
Olta ka treguar se e ka ndjerë gjithmonë brenda vetes thirrjen për të qenë nënë. Që në moshë të vogël, ideja e mëmësisë ishte një dëshirë e thellë që e shoqëronte gjatë gjithë kohës. Ardhja e Gaias, pas 12 vitesh karrierë intensive dhe ritmi të përshpejtuar profesional, ndodhi në një moment kur trupi dhe mendja e saj kërkonin pushim. Ky ndryshim jetësor erdhi si një bekim dhe i dha asaj mundësinë të fokusohej plotësisht në rolin e saj të ri si nënë.
Ndërkaq, ajo pranon se marrëdhënia me bashkëshortin ka kaluar në një fazë të re pas lindjes së vajzës. Ritmet e reja familjare dhe përgjegjësitë ndaj Gaias kanë bërë që intimiteti çiftit të spostohet në plan të dytë. “Më ka marrë malli të udhëtoj një herë vetëm me të,” – shprehet ajo, duke nënvizuar rëndësinë e ruajtjes së lidhjes në çift edhe pas ardhjes së një fëmije.
Olta thekson se ky është një proces i natyrshëm, por kërkon përkushtim dhe mirëkuptim nga të dy partnerët. Për të, balancimi i rolit të nënës me atë të bashkëshortes është sfidë, por edhe mundësi për të rritur dhe forcuar lidhjen familjare në një dimension të ri.
Me ndjeshmëri dhe qartësi, rrëfimi i Oltës flet për dashurinë, pasionin dhe përpjekjen për të ruajtur ekuilibrin mes familjes dhe vetes.