Luis Enrique, trajneri i Paris Saint-Germain, u shfaq i vendosur dhe optimist në konferencën për shtyp përpara përballjes së rëndësishme gjysmëfinale të Champions League ndaj Arsenalit. Edhe pse përballë ka një nga ekipet më të mira në Europë, Enrique theksoi se nuk ka vend për frikë në kampin parizien.
“Janë gjysmëfinalet e Champions dhe gjithçka është e hapur. Të dyja skuadrat kanë të njëjtin qëllim – të shkojnë në finale, dhe natyrisht të fitojnë trofeun. Duhet të jemi të duruar, të menaxhojmë mirë emocionet dhe tensionin që vjen me këto sfida. Çelësi do të jetë të kontrollojmë presionin dhe të dimë kur të tërhiqemi për të goditur me efikasitet,” u shpreh Enrique.
Ai vlerësoi lart cilësitë e Arsenalit, duke e konsideruar skuadrën londineze si shumë të mirë-organizuar, agresive në sulm dhe të fortë në mbrojtje. Por mbi të gjitha, theksoi se PSG ka identitetin e vet dhe aftësinë për t’u përballur denjësisht me çdo kundërshtar.
Në vijim, Enrique tregoi besim të madh tek grupi i tij, duke përmendur që skuadra ka pjekuri dhe eksperiencën e duhur për këtë nivel.
“Ne nuk kemi frikë. Jemi përgatitur mirë, dhe kemi talent të bollshëm për të përballuar çdo sfidë. Si gjithmonë, askush nuk fiton vetëm me emrin – duhet përkushtim dhe organizim deri në minutën e fundit.”
Për PSG, kjo është një mundësi e madhe për të bërë histori në një sezon ku klubi synon më në fund të kurorëzojë projektin e vet europian me një trofe Champions League. Nën drejtimin e një strategu si Enrique, shpresat janë reale.