Vendimi i Gjykatës së Posaçme të Apelit për të lënë në burg kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, u mbështet në prova të forta që ngrenë dyshime të arsyeshme se ai dhe bashkëshortja e tij kanë ndërhyrë në rrjedhën e hetimeve gjyqësore. Sipas dosjes hetimore, çifti dyshohet se ka tentuar të manipulonte prova të rëndësishme materiale dhe të ndikonte drejtëpërdrejtë në dëshmitarë apo persona të tjerë të përfshirë në proces.
Ngjarja mori kthesë pas datës 13 mars, kur Gjykata vendosi masën e sigurimit “arrest me burg” për Veliajn, pasi u vërtetua se ekzistojnë elementë konkretë që lidhen me pengimin e drejtësisë. Hetimet e Prokurorisë së Posaçme dhanë indikacione të qarta se Veliaj ishte në dijeni të të gjitha veprimeve në prapaskenë dhe kishte përfshirë bashkëpunëtorë të ngushtë për të fshehur ose ndryshuar të dhëna me qëllim shmangien e përgjegjësisë penale.
Ajo që thekson më shumë situatën është heshtja e bashkëpunëtorëve, disa prej të cilëve janë përmendur me emër nga vetë kryebashkiaku gjatë deklarimeve të tij. Megjithatë, ata e kanë “kyçur gojën” përballë autoriteteve hetimore, duke refuzuar të bashkëpunojnë. Kjo heshtje ngre pikëpyetje të forta mbi nivelin e përfshirjes së tyre dhe sugjeron një skemë të mirëorganizuar brenda institucioneve vendore.
Ky rast ka tronditur opinionin publik dhe ka rritur presionin ndaj institucioneve të drejtësisë për të vepruar pa kompromis. Hetimet vazhdojnë, ndërsa pritet që zbardhja e plotë e skandalit të zbulojë nivele më të gjera të përfshirjes në veprime të dyshuara korruptive dhe pengim të drejtësisë.