Komisionerja për Zgjerim e Bashkimit Evropian, Marta Kos, zhvilloi vizitën e saj të parë zyrtare në Beograd pas protestave gjashtëmujore të studentëve, të cilat çuan në ndryshime të rëndësishme në qeverinë serbe. Në konferencën për shtyp krah kryeministrit të ri Đuro Macuta, Kos nënvizoi se Serbisë i duhet një transformim i thellë që të vijë nga vetë shoqëria, jo vetëm si përgjigje ndaj kërkesave të BE-së.
Kos theksoi rëndësinë e përparimit në sundimin e ligjit, lirinë e medias dhe përmirësimin e kuadrit ligjor, si parakushte të pandryshueshme për anëtarësim në BE. Ajo deklaroi se Brukseli është i angazhuar të punojë ngushtë me udhëheqjen e re për të promovuar këto reforma.
Nga ana tjetër, Macuta konfirmoi prioritetin e Serbisë për integrim evropian, pavarësisht kontradiktës që sjell vendimi i Presidentit Aleksandër Vuçiç për të vizituar Moskën më 9 maj, përkrah presidentit rus Vladimir Putin. Kjo ka shtuar skepticizmin lidhur me qëndrimin strategjik të Serbisë mes Lindjes dhe Perëndimit.
Presidenti Vuçiç deklaroi se angazhimi për reforma bëhet jo për të kënaqur Brukselin, por për të garantuar një jetë më të mirë për qytetarët. Ndërkaq, Komisionerja Kos theksoi nevojën e paanshmërisë së mediave dhe respektimin e të drejtës për protestë, në një kohë kur studentët vazhdojnë të jenë zëri më i fuqishëm për ndryshimin brenda vendit.
Kujtojmë se situata politike mbeti e tensionuar që nga nëntori i kaluar, pas tragjedisë në Novi Sad ku humbën jetën 16 persona, duke nxitur reagimin e publikut dhe studentëve kundër mungesës së llogaridhënies.