**Nga pensionet tek ekonomia, arsimi e shëndetësia! Arlind Qori prezanton programin e Lëvizjes Bashkë**
Sonte në mbrëmje, Lëvizja Bashkë do të bëjë publik programin e saj politik, i cili është përgatitur me ndihmën e ekspertëve të fushave të ndryshme. Kryetari i partisë, Arlind Qori, i ftuar në studion e News 24, ndau disa nga prioritetet kryesore të kësaj force të re politike.
Një nga çështjet kryesore të programit është rritja e pensioneve dhe mbështetja për të moshuarit. Sipas Qorit, pensionet aktuale janë të pamjaftueshme për të garantuar një jetë dinjitoze dhe Lëvizja Bashkë synon t’i rrisë ato në përmasa të qëndrueshme ekonomikisht.
Në fushën e ekonomisë, Qori theksoi rëndësinë e ndihmës për bizneset e vogla dhe të mesme, duke i dhënë prioritet prodhimit vendas dhe krijimit të vendeve të reja të punës. Ai shtoi se barriera burokratike dhe favorizimi i oligarkëve kanë dëmtuar tregun dhe kanë krijuar pabarazi të mëdha.
Arsimi dhe shëndetësia zënë gjithashtu një vend të rëndësishëm në programin e Lëvizjes Bashkë. Partia synon të rrisë financimin për arsimin publik dhe të sigurojë që shkollat dhe universitetet të jenë më të aksesueshme për të gjithë. Sa i përket shëndetësisë, Qori deklaroi se sistemi aktual ka nevojë për reforma rrënjësore, duke filluar nga rritja e pagave për mjekët dhe infermierët e deri te sigurimi i shërbimeve cilësore për qytetarët.
Ky program synon të ofrojë një alternativë të re politike për qytetarët shqiptarë, duke i vendosur interesat e shumicës përpara politikave elitare të deritanishme. Sonte, pritet një prezantim i detajuar i këtyre propozimeve dhe mënyrave konkrete të zbatimit të tyre.