Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ka konfirmuar vendimin e tij për të marrë pjesë në paradën ushtarake të 9 majit në Moskë, një ngjarje që përkujton fitoren ndaj nazizmit në Luftën e Dytë Botërore. Ai deklaroi se do të udhëtojë në kryeqytetin rus bashkë me një njësi të Ushtrisë Serbe, e cila do të marrë pjesë ceremonialisht në paradë.
Vuçiç pranoi se prania e tij në këtë ngjarje mund të provokojë pasoja negative nga Bashkimi Europian, duke shtuar se “do të shohim si do të shkojnë gjërat”, duke lënë hapësirë për ndryshim të mundshëm në vendimin e tij. Sidoqoftë, theksoi se nuk ka qenë në Moskë për më shumë se tre vjet dhe se nuk është takuar me presidentin rus Vladimir Putin që nga nëntori 2021 – një distancim që ai e veçoi nga disa liderë të tjerë evropianë.
Në të njëjtën linjë me Vuçiçin është edhe presidenti i entitetit serb në Bosnjë, Milorad Dodik, i cili ka deklaruar se do të jetë i pranishëm në Moskë dhe se nuk ka frikë nga sanksionet e Bashkimit Europian.
Bashkimi Europian ka bërë thirrje të drejtpërdrejta për liderët e vendeve të Ballkanit që të mos marrin pjesë në këtë ceremoni, duke vënë në dukje se pjesëmarrja e tyre bie në kundërshtim me statusin si vende kandidate për anëtarësim në BE. Shefja e diplomacisë evropiane, Kaja Kallas, ka theksuar se pjesëmarrja në një ngjarje të tillë përbën mesazh të gabuar në një kohë kur Rusia vazhdon agresionin ushtarak në Ukrainë.
Megjithatë, Serbia nuk ka pranuar të vendosë sanksione ndaj Moskës, duke ruajtur një qëndrim neutral që i ka nxitur tensionet me Brukselin.