Pas një kohe të gjatë pritjeje, Dinamo ka rikuperuar shkëlqimin historik. “Nëndetësja blu” është rikthyer në sipërfaqe pas 15 vitesh dhe tashmë rivalizon për trofe, duke ndezur ëndrrat e tifozëve besnikë. Loja e mirë, organizimi i fortë dhe dëshira për sukses kanë rikthyer Dinamon në nivelet më të larta, ku tradita dhe pritshmëritë janë gjithmonë të mëdha.
Në këtë moment të rëndësishëm, Presidenti Ardian Bardhi ka vendosur të shpërblejë përkushtimin e skuadrës. Një super premio është vendosur për lojtarët nëse ata arrijnë objektivat e vendosur. Megjithatë, për Bardhin, një sukses i vetëm nuk mjafton. Ai kërkon “dopietën”: fitimin e kampionatit dhe të Kupës së Shqipërisë.
Ky motivim financiar është një sinjal i qartë i ambicieve të reja të klubit. Bardhi beson se Dinamo ka forcat dhe cilësinë e duhur për të dominuar sërish futbollin shqiptar, ashtu si në ditët e lavdisë së saj. Mesazhi i tij për skuadrën është i qartë: të kërkosh më shumë, të mos kënaqesh me një trofe të vetëm, dhe të ndërtosh një emër të denjë për historinë e pasur të klubit.
Mbështetja financiare, bashkë me projektin sportiv dhe drejtimin ambicioz, kanë riaktivizuar një frymë optimizmi, që mungonte prej kohësh te blutë. Tashmë, Dinamo nuk është më ajo skuadër që lufton për mbijetesë, por ajo që kërkon stolisjen me tituj dhe ringritjen në skenën e madhe. Tifozët kanë çdo arsye të besojnë se rruga drejt majës ka nisur dhe klubi i tyre i zemrës është gati t’u japë emocione të paharrueshme.