Planet e reja të qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar për trajtimin e krizës së emigracionit kanë ngjallur debate të shumta në arenën ndërkombëtare. Sipas një raportimi të Daily Mail, këto plane përfshijnë dërgimin e azilkërkuesve të refuzuar drejt vendet e Ballkanit, përfshirë Shqipërinë, Serbinë, Bosnjën dhe Maqedoninë e Veriut. Ideja është që këta individë të mbahen në “qendra kthimi” jashtë territorit britanik, derisa të përfundojë procesi i tyre ligjor ose të deportohen në vendin e origjinës.
Sekretarja e Brendshme britanike, Yvette Cooper, ka zhvilluar bisedime me përfaqësuesit e Agjencisë për Refugjatë të Kombeve të Bashkuara, e cila ka dhënë një mbështetje paraprake për këtë model. Në thelb, plani synon të shkarkojë presionin mbi sistemin britanik të azilit, duke zhvendosur çështjen në vende me kosto më të ulët operimi dhe infrastrukturë të përshtatshme për strehim të përkohshëm.
Megjithatë, zbatimi i këtij plani ka ngritur shqetësime të ndryshme. Organizatat për të drejtat e njeriut kanë paralajmëruar se një nismë e tillë mund të cenojë sigurinë dhe dinjitetin e azilkërkuesve, veçanërisht nëse vendet pritëse nuk ofrojnë kushte të pranueshme njerëzore.
Nga ana tjetër, për Shqipërinë si vend kandidat për në BE, një rol i tillë mund të ndikojë negativisht në imazhin ndërkombëtar dhe politikat e brendshme migratore. Shtimi i presionit ndërkombëtar dhe mungesa e transparencës mund ta bëjnë këtë plan të vështirë për t’u zbatuar në praktikë. Për më tepër, partitë politike shqiptare kanë reaguar ndarë, duke kërkuar që çdo marrëveshje e tillë të kalojë përmes një debati publik dhe parlamentar.