Një incident i rëndë u shënua këtë të premte në minierën e kromit të kompanisë AlbChrome në Bulqizë, ku një minator u plagos gjatë kryerjes së detyrës. Minatori 36-vjeçar, Shkëlzen Disha, po punonte në thellësinë e një galerie të zonës së njohur për vështirësitë teknike kur ndodhi aksidenti.
Sipas burimeve nga vendngjarja, Disha pësoi një dëmtim në krahun e tij të djathtë, pasi një pjesë e strukturës metalike që ndihmon në përforcimin e galerisë është shkëputur papritur. Për fat të mirë, ndërhyrja e kolegëve dhe reagimi i shpejtë i shërbimeve të emergjencës bënë të mundur transportimin e menjëhershëm të tij në spitalin e Bulqizës.
Mjekët konfirmuan se gjendja e tij shëndetësore është e qëndrueshme dhe ai ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Megjithatë, ai do të vazhdojë të qëndrojë nën vëzhgim mjekësor për të paktën disa ditë, për të siguruar riaftësimin e plotë.
Nga ana tjetër, Specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve i Policisë Dibër kanë nisur një hetim të plotë për të zbardhur rrethanat e ngjarjes. Në fokus pritet të jetë verifikimi i kushteve të sigurisë në vendin e punës dhe nëse janë respektuar standartet e përcaktuara me ligj.
Ky është një tjetër sinjal alarmi për shëndetin dhe sigurinë e punëtorëve në minierat e thella të Bulqizës, ku minatorët shpesh përballen me kushte të vështira dhe me mjete të kufizuara mbrojtëse. Autoritetet vendore dhe sindikatat e punëtorëve kanë kërkuar në mënyrë të përsëritur që kompanitë minerare të investojnë më shumë në masat parandaluese dhe teknologjinë e sigurisë, për të shmangur situatat e tilla në të ardhmen.