Kur të gjithë prisnin që Partizani të mbyllte përfundimisht llogaritë me rivalët historikë të Tiranës dhe t’i shtynte drejt Kategorisë së Parë, ndodhi krejt e kundërta. Bardheblutë shpërthyen me një fitore të thellë 3-0, duke e tronditur skuadrën e trajnerit Skënder Gega dhe duke kthyer gjithë ecurinë e sezonit në pikëpyetje. Në vend që të dilte e fortë pas një derbi historik, Partizani u tregua i brishtë, i demotivuar dhe pa identitet në fushë.
Për më tepër, rivalët në garën për titull nuk u ndalën. Elbasani befasoi me një fitore ndaj Egnatias, duke komplikuar edhe më shumë pozitat e “Demave të Kuq” në renditje. Me këtë humbje, Partizani rrezikon seriozisht të dalë nga rruga drejt objektivave sezonalë, përfshirë dhe garën për pjesëmarrjen në kupat e Europës.
Skënder Gega, i rikthyer në pankinë për të ringjallur frymën kampione, nuk ka arritur ende të japë zgjidhjen e duhur. Ekipi duket shpesh pa ide në ndërtim dhe i cenueshëm me topin në prapavijë. Dëmtimet dhe mungesat kanë rënduar situatën, por mungesa e reagimit dhe lidershipit në momentet kritike ngre shumë pikëpyetje mbi menaxhimin e brendshëm.
Në këtë fazë të sezonit, çdo gabim mund të jetë fatal. Ky Partizan është i “plagosur”, dhe nëse nuk gjendet shpejt “ilaçi” i duhur – qoftë në aspektin taktik apo psikologjik – rrezikon ta mbyllë sezonin jo vetëm pa trofe, por edhe pa arritjen e objektivave minimale. E ardhmja e të kuqve varet nga reagimi në ndeshjet e ardhshme, por sinjalet e dhëna nuk janë aspak premtuese.