Nëse ekziston ndonjë skuadër që Egnatia duket se nuk arrin dot ta thyejë këtë sezon, ajo është Partizani. Gjysmëfinalja e fundit e Kupës e vulosi këtë konstatim, ku pavarësisht dominimit në fushë dhe disa rasteve të qarta për shënim, rrogozhinasit sërish u rrëzuan përballë të kuqve.
Kjo nuk është hera e parë që ndodh. Në kampionat, në fazën e rregullt, Partizani udhëtoi drejt Rrogozhinës dhe doli me tre pikët, duke konfiskuar fitoren në një ndeshje të fortë dhe të luftuar. Statistikat këtë sezon flasin qartë për një superioritet psikologjik dhe taktik të “demave të kuq” ndaj kampionëve në fuqi.
Një tjetër element që duket se i dëmton tejet Egnatian është fakti që shumica e këtyre përballjeve janë zhvilluar mbrëmjeve, nën dritat e projektorëve. Edhe pse në teori, orari nuk duhet të ndikojë ndjeshëm në paraqitjen e skuadrave profesioniste, te Egnatia këto sfida me fluks të lartë emocional dhe në orare të vona duket se prodhojnë një efekt negativ. Nuk është rastësi që disa nga performancat më të dobëta të këtij sezoni kanë ardhur pikërisht në ndeshjet e natës.
Kombinimi i “mallkimit” Partizani dhe “alergjisë” ndaj mbrëmjeve krijon një tabu për skuadrën e Edlir Tetovës. Megjithëse Egnatia ka treguar një rritje të jashtëzakonshme në sezonet e fundit, për të thyer kufirin e madh dhe për të mbrojtur titullin, duhet të thyejë së pari këtë barrierë të padukshme psikologjike ndaj Partizanit – sidomos kur dritat ndriçojnë më fort.