Partizani është shpallur kampion i kampionatit “Abissnet Superiore” U-17 për sezonin 2024/25, duke konfirmuar dominimin në këtë kategori të moshave. Ekipi i drejtuar nga stafi teknik “i kuq” arriti të ruajë kreun e renditjes falë një barazimi dramatik 3-3 në derbin ndaj rivalëve të përjetshëm të Tiranës, një ndeshje me ritëm dhe emocione deri në sekondat e fundit.
Kjo sfidë ishte përcaktuese për fatin e trofeut kampion, pasi edhe Tirana kishte shanse për të rrëmbyer titullin. Të rinjtë bardheblu bënë një paraqitje mbresëlënëse dhe luftuan fort në çdo centimetër të fushës, por në fund mjaftoi vetëm një pikë për Partizanin që të siguronte vendin e parë dhe të ngre lart trofeun e shumëpritur.
Performanca e Partizanit këtë sezon ka qenë konsistente, me një skuadër të balancuar dhe lojtarë që treguan maturi, karakter dhe cilësi teknike të lartë pavarësisht moshës. Ecuria pozitive gjatë gjithë kampionatit, si dhe menaxhimi efikas i fazave vendimtare, ishin faktorë kyç në arritjen e suksesit.
Ky titull për Partizanin U-17 nuk është vetëm një statistikë e suksesshme, por një sinjal pozitiv për të ardhmen. Talente të reja po rriten në gjirin e klubit dhe pritet që shumë prej tyre të jenë pjesë e ekipit të parë në vitet në vazhdim. Po ashtu, fitimi i kampionatit konfirmon edhe efikasitetin e punës në akademinë e klubit, e cila po tregon vazhdimësi në prodhimin e talenteve cilësore.
Trofeu i sezonit 2024/25 është shpërblimi maksimal për përkushtimin dhe përpjekjet e gjithë skuadrës, stafit teknik dhe drejtuesve të klubit. Një tjetër kapitull suksesi për Partizanin në historinë e futbollit për të rinj në Shqipëri.