Kryeministri Edi Rama ka shpallur objektivin ambicioz që deri në vitin 2030 paga minimale në Shqipëri të arrijë në 650 euro. Kjo deklaratë u bë gjatë një vizite në Roskovec, ku kreu i qeverisë paraqiti detaje për reformat ekonomike dhe mbështetjen ndaj sipërmarrjes së vogël.
Aktualisht, paga minimale është 400 euro dhe sipas Ramës, në janar të vitit 2026 pritet të arrijë në 500 euro. Kjo rritje është pjesë e një strategjie afatgjatë për përmirësimin e standardit të jetesës dhe fuqizimin e shtresës punëtore në vend. Ai theksoi gjithashtu se paga mesatare në sektorin publik ka pësuar përmirësime të ndjeshme, duke u rritur nga 320 euro në vitin 2013 në 848 euro sot – një rritje prej 2.6 herë.
Rama theksoi gjithashtu mbështetjen që qeveria i ka dhënë biznesit të vogël. Sipas tij, bizneset me qarkullim deri në 100 mijë euro gëzojnë tashmë një regjim tatimor me taksë zero dhe përfitimi total llogaritet në 66 milionë euro në vit – para të cilat më herët i përfitonte buxheti i shtetit. Edhe bizneset me qarkullim deri në 140 mijë euro kanë përfituar nga kjo politikë, duke mbajtur 58 milionë euro që përndryshe do shkonin në arkën e shtetit.
Këto politika synojnë stimuj ekonomikë, mbajtjen e fuqisë punëtore dhe ndalimin e emigracionit përmes rritjes së të ardhurave dhe përmirësimit të klimës së biznesit në vend. Besimi i qeverisë është se Shqipëria po shkon drejt një ekonomie më të qëndrueshme dhe me standarde më të larta jetese për qytetarët e saj.