**Kosovë: Osmani falënderon aleatët për ndërhyrjen e NATO-s më 24 mars**
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka përkujtuar 26-vjetorin e fillimit të fushatës ajrore të NATO-s kundër caqeve ushtarake dhe policore të Serbisë dhe Malit të Zi. Në një mesazh në Facebook, Osmani theksoi se 24 marsi është dita kur “bota demokratike nuk heshti”, duke ndërhyrë për të ndalur spastrimin etnik dhe gjenocidin ndaj popullit shqiptar të Kosovës.
Në postimin e saj, Presidentja kujtoi se kjo ishte dita kur aleatët e NATO-s u ngritën kundër padrejtësisë dhe mbrojtën një popull që luftonte për ekzistencë. “Ishte dita kur ndaj errësirës triumfoi drita e shpresës. Nga flaka e sakrificës dhe lufta çlirimtare, lindi Kosova e lirë!”, shkroi ajo, duke theksuar mirënjohjen ndaj vendeve që ndihmuan në realizimin e ëndrrës për një Kosovë të lirë, të pavarur dhe sovrane.
Ndërhyrja e NATO-s, që filloi më 24 mars 1999 dhe zgjati 78 ditë, u bë pas dështimit të diplomacisë për t’i dhënë fund represionit serb mbi shqiptarët e Kosovës. Mijëra civilë humbën jetën, ndërsa qindra mijëra u dëbuan nga shtëpitë e tyre nga forcat serbe. Bombardimet e NATO-s rezultuan në tërheqjen e ushtrisë serbe dhe më pas në çlirimin e Kosovës, duke i hapur rrugë shpalljes së pavarësisë në vitin 2008.
Sot, Kosova mbetet një partner i fuqishëm i aleatëve perëndimorë, ndërkohë që përparon në integrimet euro-atlantike. Përkujtime të tilla shërbejnë për të riforcuar lidhjet ndërmjet Kosovës dhe aleatëve që mbështetën kauzën e saj për liri dhe drejtësi.