Detaje tronditëse janë zbuluar nga sulmi me armë ndaj dy shtetasve shqiptarë, ndodhur më 23 shtator 2023 në qendër të Athinës, Greqi. Sipas mediave greke, hetimet kanë zbardhur se urdhri për atentatin ka ardhur nga brenda burgut, konkretisht nga Klodian Lekocaj, një 48-vjeçar shqiptar i konsideruar si lideri i ashtuquajturës “mafia e burgjeve”.
Në ngjarjen e rëndë u përfshinë gjithsej katër persona, ndërsa Lekocaj identifikohet nga autoritetet greke si truri organizues i atentatit. Viktimat e sulmit ishin dy shqiptarë, njëri prej të cilëve, sipas mediave, kishte pasur konflikt të mëparshëm brenda burgut me Lekocajn. Ky i fundit akuzohet se dha urdhër për eliminimin e tij si akt hakmarrjeje.
Historia kriminale e Lekocajt është një mozaik i errët i dhunës dhe krimeve të rënda. Ai është dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen brutale të një avokati në vitin 2017, ndërsa është gjithashtu i implikuar në një tentativë vrasjeje të ndodhur në korrik të vitit 2022. Pavarësisht se ndodhet pas hekurave, ai vazhdon të ushtrojë ndikim të fortë mbi rrjete kriminale brenda dhe jashtë burgjeve greke.
Rasti ngre shqetësime serioze mbi fuqinë reale që individë të tillë mund të kenë edhe nga brenda sistemit penitenciar, duke përdorur rrjetet kriminale për të ekzekutuar urdhra vdekjeje. Autoritetet greke vijojnë hetimet me fokus në mundësinë e përfshirjes së rrjeteve të tjera kriminale dhe shpërbërjen e strukturave të organizuara që lidhen me “mafien e burgjeve”.
Ngjarja ka rikthyer në qendër të vëmendjes çështjen e sigurisë në burgjet greke dhe ndikimin e kriminelëve të rrezikshëm në jetën urbane greke.
Burimi: abcnews.al