Endri Shabani, bashkëthemelues i koalicionit “Nisma Shqipëria Bëhet”, theksoi në një intervistë për “Real Story” rolin jetik të opozitës si një alternativë konkuruese për ndryshimin e realitetit politik në Shqipëri. Ai kritikoi përdorimin e konceptit të “votës së dobishme” nga liderët e vjetër Rama dhe Berisha, duke nënvizuar se për dy dekada vendi ka njohur një rënie dramatike të popullsisë – nga 4 milionë në 2.4 milionë banorë – ndërkohë që problemet bazike si uji i pijshëm 24 orë, strehimi i përballueshëm dhe perspektiva ekonomike për të rinjtë mbeten ende të pazgjidhura.
Për Shabanin, “vota e dobishme” nuk është ruajtja e status quo-së, por një përpjekje për të ndërtuar një realitet të ri, ku Shqipëria të jetë e denjë për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe të ofrojë modele të reja drejtimi. Ai ironizoi përfaqësues të politikës aktuale, duke shprehur skepticizmin se figura si “Zeqineja e Roskovecit” apo “Flamur Noka me Adriana Kalanë” mund të paraqiten seriozisht në Bruksel për të kërkuar fonde për vendin.
I vetëdijshëm për sfidat e një ndryshimi të qëndrueshëm, Shabani u shpreh i gatshëm të qëndrojë në opozitë, duke theksuar se edhe jashtë parlamentit mund të bëhen ndryshime reale. Ai përmendi faktin që “Nisma Thurje” ka dorëzuar gjashtë çështje në SPAK, një prej të cilave ka çuar në arrestimin e ish-ministrit Beqaj, si një shembull konkret se si opozita funksionale mund të kontribuojë në pastrimin e sistemit dhe ndërtimin e një Shqipërie më të ndershme.