Presidenti i Republikës Srpska, Milorad Dodik, ka shkaktuar një tjetër valë tensioni politik në Bosnjë dhe Hercegovinë pas deklaratës së tij kërcënuese për arrestimin e Përfaqësuesit të Lartë, Christian Schmidt. Kjo deklaratë vjen menjëherë pas vendimit të Schmidt për të ndaluar financimin nga buxheti i shtetit për partinë SNSD dhe “Ujedinjena Srpska”, të cilat drejtohen nga vetë Dodik dhe aleatët e tij.
Në një fjalim të ashpër, Dodik e përshkroi Christian Schmidtin si “fashist” dhe “guvernator të rremë”, duke mohuar legjitimitetin dhe kompetencat e tij si Përfaqësues i Lartë në Bosnje dhe Hercegovinë. Ai akuzoi komunitetin ndërkombëtar për ndërhyrje të paligjshme që, sipas tij, rrezikojnë integritetin dhe ekzistencën e shtetit.
Dodik deklaroi se institucionet e RS-së nuk do të zbatojnë asnjë vendim apo ligj të nxjerrë nga Schmidt, duke insistuar se ai është i paemëruar nga Këshilli i Sigurimit të OKB-së dhe nuk ka asnjë bazë juridike për veprimet e tij. Për më tepër, ai paralajmëroi se Republika Srpska do të marrë masa ligjore për pezullimin e të gjitha akteve të Schmidtit dhe do të kërkojë një marrëveshje të re politike për të ardhmen e Bosnjës dhe Hercegovinës.
Me këtë retorikë përshkallëzuese, Dodik po rrit tensionin institucional në një kohë kur vendi përballet me fragjilitet të brendshëm politik dhe presion ndërkombëtar. Shtyrja e agjendës separatiste përmes konflikteve me përfaqësues ndërkombëtarë po sjell pasoja të rënda për stabilitetin e Bosnjës dhe për marrëdhëniet e saj me Bashkimin Evropian dhe aleatët perëndimorë.