Mesfushori armen i Interit, Henrikh Mkhitaryan, ka dhënë një intervistë për mediat italiane përpara përballjes vendimtare me Bayern Munich në kuadër të çerekfinaleve të kthimit të Ligës së Kampioneve. Ai shprehu përqendrimin maksimal të ekipit te ndeshja e radhës, duke theksuar se askush brenda skuadrës nuk mendon ende për finalen e mundshme të Champions-it.
“Nuk është momenti për të menduar për finalen. Jemi të fokusuar vetëm te Bayern-i dhe duhet ta kalojmë këtë pengesë për të ëndërruar më tej. Çdo ndeshje në këtë fazë është një betejë dhe nuk mund të lejojmë shpërqendrim”, u shpreh Mkhitaryan me vendosmëri.
Lojtari 35-vjeçar po luan një ndër sezonet më të mira të tij me fanellën zikaltër, duke u bërë një element kyç në mesfushën e drejtuesit Simone Inzaghi. Kontributi i tij nuk kufizohet vetëm në organizimin e lojës, por edhe në përvojën e madhe që i sjell skuadrës në ndeshjet me presion të lartë.
Sa i përket të ardhmes, Mkhitaryan theksoi se dëshiron të qëndrojë në Milano. “E kam thënë që më parë: do të doja të qëndroja edhe një vit me Interin. Kemi një ekip të shkëlqyer dhe një ambient fantastik. Por për momentin, nuk kemi kohë për të menduar për kontratën time, sepse kemi aq shumë ndeshje të rëndësishme”, – u shpreh ai, duke lënë të hapur diskutimet për një rinovim pas përfundimit të sezonit.
Mesazhi i Mkhitaryan është i qartë: fillimisht Bayern, më pas çdo gjë tjetër. Mentaliteti që Interi po demonstron është ai i një skuadre që kërkon të bëjë historinë në Evropë.