Pas humbjes 3-1 në ndeshjen e parë ndaj PSG-së, Aston Villa është përballë një sfide vendimtare në çerekfinalet e Champions League. Megjithatë, në kampin anglez ka besim dhe vendosmëri për përmbysje. Në konferencën për shtyp përpara sfidës së kthimit, krahas trajnerit Unai Emery u paraqit edhe mesfushori i ri talentuar Morgan Rogers, i cili e bëri të qartë se skuadra nuk ka ndërmend të dorëzohet.
“Është në dorën tonë dhe mezi e presim këtë sfidë,” deklaroi Rogers. “Sigurisht, ka gjëra që duhet t’i përmirësojmë, por tani e njohim PSG-në. Na pret një detyrë e vështirë, por në shtëpi, nën dritat e stadiumit, në një çerekfinale të tillë – gjithçka është e mundur.”
Këto fjalë ilustrojnë mirë shpirtin luftarak të Aston Villës, që kërkon të përmbysë rezultatin për të kaluar në gjysmëfinale për herë të parë pas dekadash mungese në nivelet më të larta evropiane. Rogers theksoi se atmosfera në “Villa Park” do të jetë një faktor kyç dhe u bëri thirrje tifozëve që të qëndrojnë pas skuadrës deri në fund.
“PSG është një ekip i madh, por nëse na nënvlerësojnë, mund të gabojnë rëndë. Ne jemi një grup që besojmë te puna jonë dhe kemi treguar që jemi të gatshëm për ndeshje të mëdha,” shtoi ai.
Trajneri Emery njihet për përvojën në ndeshje me eliminim direkt dhe do të kërkojë që eksperienca e tij të ndikojë pozitivisht në këtë përballje. Tani gjithçka do të vendoset në 90 minuta emocionuese në Birmingham, ku Aston Villa kërkon të shkruajë historinë në kurriz të gjigantëve francezë.