Ka mjaftuar një postim i Georgina Rodriguez në rrjetet sociale për të ndezur zërat se ajo dhe Cristiano Ronaldo mund të jenë në prag të martesës. Më 15 prill, partnerja e yllit të futbollit publikoi një fotografi në llogarinë e saj personale në Instagram, ku ajo shfaqet me një unazë të madhe me një gur të çmuar në dorë, teksa shkruante thjesht: “Me ty, gjithmonë”.
Kjo foto ka mjaftuar për të nxitur spekulime të shumta në mediet sociale dhe ato rozë, të cilat po shtrojnë pyetjen e shumëpritur: A është ky momenti kur Ronaldo dhe Georgina vendosin të kurorëzojnë zyrtarisht lidhjen e tyre? Çifti, që është bashkë prej vitit 2016 dhe ka ndarë bashkë jetën në Spanjë, Itali, Angli dhe më pas në Arabinë Saudite, ka qenë shpesh në qendër të vëmendjes për marrëdhënien e tyre të qëndrueshme dhe jetën luksoze.
Edhe pse asnjëri prej tyre nuk ka konfirmuar fejesën, vlen të theksohet se nuk është hera e parë që një unazë në dorën e Georginës krijon polemika të tilla. Megjithatë, fotoja më e fundit mbart një simbolikë më të fortë falë mënyrës së paraqitjes — një pozë intime dhe një përshkrim romantik, që mund të jetë një sinjal dashurie, por edhe një paralajmërim për hapin e radhës.
Në mungesë të një deklarate zyrtare, mbetet të shihet nëse çifti do të vendosë të ndajë lajmin apo të vazhdojë t’i mbajë sekretet e zemrës nën një petk misterioz, siç kanë bërë edhe në të kaluarën. Deri atëherë, ndjekësit vazhdojnë të spekulojnë dhe të shpresojnë për një dasmë mbretërore në horizont.