Prej më shumë se 24 orësh, një video tronditëse ka qarkulluar me shpejtësi në rrjetet sociale, duke shkaktuar reagime të forta nga opinioni publik dhe autoritetet. Në pamjet e publikuara shihet një burrë që i afrohet një luani për ta përkëdhelur, mirëpo kafsha e egër e kafshon atë në kokë. Ndërhyrja e menjëhershme e të zotit të luanit shmangu tragjedinë, duke i shpëtuar jetën burrit.
Pas hetimeve të Policisë së Shtetit dhe institucioneve përgjegjëse për mbrojtjen e kafshëve, është zbuluar se luani ndodhet në një ambient privat në periferi të Tiranës. Megjithëse mbajtja e kafshëve ekzotike në shtëpi është e ndaluar me ligj në Shqipëri, pronari kishte shmangur kontrollin zyrtar duke e mbajtur luanin në mënyrë të fshehtë.
Autoritetet konfirmuan se janë duke përgatitur dokumentacionin e nevojshëm për të larguar kafshën nga banesa dhe për ta dërguar në një qendër të specializuar. Sipas Ministrisë së Mjedisit, luani do të transportohet në një ambient të përshtatshëm ku do të ketë kujdes të posaçëm dhe siguri, si për kafshën ashtu edhe për komunitetin përreth.
Specialistët theksojnë se mbajtja e kafshëve të egra në kushte shtëpiake përbën jo vetëm rrezik për sigurinë publike, por edhe një shkelje të rëndë të të drejtave të kafshëve. Për këtë arsye, autoritetet vijojnë kontrollet për të identifikuar raste të ngjashme në vend. Rasti i fundit e ka rikthyer në vëmendje nevojën për masa më të ashpra dhe ndërgjegjësim publik mbi rrezikun që vjen nga jetesa me kafshë të egra.