Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, ka miratuar së fundmi një leje ndërtimi për një park fotovoltaik, një vendim që po ngjall polemika të forta për shkak të lidhjeve familjare të përfitueseve me një prej vartësve të saj në ministri. Projekti në fjalë, i paraqitur si një hap përpara në drejtim të energjisë së pastër dhe së ardhmes së gjelbër, po kritikohet për mungesë transparence dhe konflikt interesi të mundshëm.
Sipas hulumtimit të bërë publik nga portali investigativ BoldNews.al, rezulton se kompania përfituese e lejes është e lidhur ngushtë me familjarë të zyrtarit që ka drejtuar procesin përkatës brenda ministrisë. Kjo ka ngritur dyshime serioze në opinionin publik dhe në rrethet politike, për favore të mundshme dhe përfitime personale në kurriz të interesit publik.
Ky rast vjen në vazhdën e akuzave mbi afera të tjera të mëdha në sektorin energjetik, përfshirë projektin “Tigrat”, një investim i promovuar nga qeveria Rama si ndër më të suksesshmit në fushën energjetike, por që sipas investigimeve të mëparshme rezulton të jetë një skemë me miliona euro të dyshimta dhe mungesë totale transparence.
Në një kohë kur Shqipëria ka nevojë për investime të qëndrueshme dhe transparente në sektorin energjetik, çdo dyshim për abuzime me pozitat publike minon besimin e qytetarëve dhe e vë në pikëpyetje integritetin e vendimeve qeveritare. Ndërkohë, institucionet përkatëse ende nuk kanë reaguar publikisht ndaj akuzave për konflikt interesi apo shkelje të mundshme ligjore në miratimin e kësaj lejeje.