Mbrëmjen e sotme, në orën 19:00, në stadiumin “Elbasan Arena” do të luhet finalja e 73-të e Kupës së Shqipërisë mes Egnatias dhe Dinamo City, një përballje që pritet me interes të madh nga tifozët. Ky duel është jo vetëm kulmi i sezonit për të dyja skuadrat, por edhe një ndeshje historike, pasi shënon përballjen e 28-të ndërmjet tyre.
Egnatia vjen në këtë sfidë si fituese në fuqi e Kupës së Shqipërisë, pas triumfit të vitit të kaluar kundër Vllaznisë, dhe kërkon të bëhet një nga skuadrat e rralla që arrin të mbrojë trofeun. Këtë sezon, skuadra nga Rrogozhina ka treguar një formë të lartë dhe stabilitet në konkurrime, duke konfirmuar ambiciet e saj të mëdha në futbollin shqiptar.
Në anën tjetër, Dinamo City rikthehet në një finale pas shumë vitesh mungesë në skenën e madhe të futbollit vendor. Skuadra blu kërkon të rikthejë lavdinë e dikurshme dhe të sjellë trofeun për herë të nëntë në historinë e klubit. Hera e fundit që Dinamo e fitoi Kupën ishte në vitin 2009, ndaj finalja e sotme është një mundësi ideale për të rikthyer identitetin triumfues.
Nga 27 ndeshjet e mëparshme mes tyre, Dinamo ka një avantazh të lehtë historik, por statistikat shkojnë në plan të dytë kur bëhet fjalë për një finale, ku çdo detaj mund të jetë vendimtar. Të dyja skuadrat pritet të ulen në sulm që në minutat e para, duke garantuar emocion dhe spektakël për tifozët.
Fituesi i mbrëmjes do të sigurojë jo vetëm trofeun, por edhe një vend në garat europiane të sezonit të ardhshëm, duke e bërë këtë përballje edhe më të rëndësishme.